REC Shqipëri, në kuadër të projektit “EJA: Environmental Justice in Albania” shpall thirrjen për ekspert/grup ekspertësh për realizimin e kërkimeve në sektorin publik për shqyrtimin e kundërvajtjeve të natyrës administrative me karakter mjedisor. Ky studim do të jetë pjesë e një raporti gjithëpërfshirës diagnostik të titulluar “Green Justice and Grey Crime in Albania”, i cili synon të identifikojë dhe analizojë situatën aktuale të drejtësisë mjedisore në Shqipëri.
Kjo analizë do të fokusohet në identifikimin e organeve ekzekutive që kanë përgjegjësi në vendosjen e masave administrative për shkeljet mjedisore, vlerësimin e legjislacionit në fuqi, analizimin e zbatimit të këtyre masave, si dhe në ofrimin e rekomandimeve për përmirësimin e procedurave administrative në funksion të mbrojtjes së mjedisit.
Objekti i punës
Eksperti/grupi i ekspertëve do të angazhohet në:
- Hartëzimin e organeve ekzekutive me përgjegjësi për inspektimin, vlerësimin dhe vendosjen e masave administrative për shkeljet mjedisore
- Analizimin e kuadrit ligjor dhe mënyrës së zbatimit të tij
- Vlerësimin e kundërvajtjeve administrative të konstatuara, duke përfshirë kategorizimin e masave ndëshkuese
- Identifikimin e praktikave më të mira dhe boshllëqeve në sistemin e dënimeve administrative për çështjet mjedisore
- Hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e procedurave administrative dhe forcimin e mekanizmave të zbatimit
Kriteret për përzgjedhjen e ekspertit
Kandidatët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
- Diplomë në drejtësi, shkenca mjedisore, administrim publik ose fusha të ngjashme
- Eksperiencë 2-5 vjeçare në analizën e çështjeve administrative dhe/ose mjedisore
- Njohuri të thelluara mbi kuadrin ligjor për mbrojtjen e mjedisit dhe kundërvajtjet administrative në Shqipëri
- Aftësi të shkëlqyera analitike dhe raportimi
Produktet dhe afatet
Koha për zhvillimin e raportit do te jete 60 ditë nga afati i nënshkrimit të kontratës.
- Javët 1-3: Mbledhja e të dhënave dhe analiza paraprake
- Javët 4-5: Takime/intervista dhe përpunimi i informacionit
- Javët 5-8: Finalizimi i raportit dhe paraqitja e rekomandimeve
Produkti final duhet të dorëzohet jo më vonë se data 31/05/2025.
Afati për dorëzimin e aplikimeve
Dokumentacioni i plotë duhet të dorëzohet deri më 28/03/2025.
Procesi i aplikimit
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
- CV – Duke përfshirë përvojën profesionale dhe arsimore relevante
- Letër Interesi – Përshkrim i shkurtër mbi përvojën përkatëse dhe motivimin për këtë angazhim
- Qasja Teknike (2-3 faqe) – Përshkrimi i metodologjisë së propozuar për realizimin e detyrës
- Raporte/Analiza me fokus të ngjashëm (nëse ka)
Dokumentet duhet të dërgohen në adresat elektronike: projects@recshqiperi.org dhe recshqiperi@gmail.com.
Kohëzgjatja e detyrës
Kjo detyrë parashikohet të ketë një kohëzgjatje deri në 12 ditë pune.
Shënim
Për më shumë detaje mbi objektin e punës dhe kornizën e udhëzimeve përkatëse, ju lutemi referohuni në Termat e Referencës më poshtë.
Anekse: