Breshkat detare kanë folezuar në vende të pazakonta që prej verës së vitit 2023 në të gjithë pellgun mesdhetar. Ky është padyshim një zhvillim i rëndësishëm për mirëqenien dhe ruajtjen e kësaj specieje. Ekspertët besojnë se ky fenomen mund të jetë i lidhur me ndryshimet klimatike globale, të cilat po ndikojnë në modelet e sjelljes së breshkave detare. Ky ndryshim në zgjedhjen e vendeve për folezim mund të ketë pasoja afatgjata për popullatat e breshkave dhe ekosistemin detar, në përgjithësi.
Viti 2024 ka shënuar një rekord historik për folezimin e breshkave detare Caretta caretta në Shqipëri. Në maj të këtij viti, ekspertët e mjedisit nisën një program intensiv monitorimi të aktivitetit folezues të kësaj specieje me status të veçantë. Zona e studimit përfshiu një segment të konsiderueshëm të bregdetit shqiptar, duke u shtrirë nga grykëderdhja e lumit Shkumbin në veri, deri në plazhin e Zvërnecit në jug. Këto rajone bregdetare ishin identifikuar paraprakisht si habitate potencialisht të përshtatshme për folezimin e breshkave, bazuar dhe në karakteristikat e tyre fiziologjike dhe kushtet mjedisore.
Procesi i monitorimit u realizua duke ndjekur protokolle shkencore strikte dhe u zhvillua në dy faza të ndryshme kohore. Për zonën e Fierit, monitorimi u krye nga 15 maji deri më 10 gusht 2024, ndërsa për rajonin e Vlorës, vëzhgimi filloi më 30 maj 2024 dhe u mbyll më 12 shtator 2024. Si rezultat i këtij studimi sistematik, ekspertët arritën të identifikojnë dhe konfirmojnë praninë e pesë foleve të breshkës detare Caretta caretta, të gjitha të zbuluara në zonën e Pishë-Poros në Vlorë.
Fokusi kryesor ishte monitorimi në tri plazhe me potencial të përshtatshëm për folezimin e breshkave detare.
- Plazhi i Divjakës.
- Plazhi i Dërmenasit.
- Plazhi i Darëzezës dhe i Pishë-Poros.
Metodologjia e monitorimit ishte gjithëpërfshirëse dhe konsistoi në përdorimin e një sërë teknikave të avancuara vëzhgimi. Ekspertët kombinuan metoda tradicionale me teknologji moderne për të siguruar mbulim maksimal të zonës së studimit. Vëzhgimet u kryen përmes patrullimeve të rregullta në vijën bregdetare, duke përfshirë inspektime në terren për vëzhgim të detajuar, përdorimin e automjeteve për mbulim të shpejtë të zonave të gjera, si dhe motorëve për zonat me akses të kufizuar. Në zona të paarritshme ose të vështira, u përdorën drone për të siguruar monitorim efektiv. Një aspekt i rëndësishëm i procesit ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin lokal, veçanërisht me peshkatarët e zonës, të cilët kontribuuan me informacione të vlefshme, bazuar në përvojën e tyre.
Në një nga këto fole, ekspertët vendosën një termometër dixhital që në momentin e zbulimit të saj. Ky instrument i specializuar regjistroi të dhëna për temperaturën për 51 ditë rresht, periudhë që korrespondon me kohëzgjatjen normale të inkubimit të vezëve. Termometri mati dhe dokumentoi temperaturën e folesë në intervale të rregullta një-orëshe, duke gjeneruar të dhëna thelbësore për studimin e kushteve të inkubimit. Këto matje janë veçanërisht të rëndësishme duke qenë se temperatura e rërës gjatë periudhës së inkubimit është faktori përcaktues për seksin e breshkave të vogla që do të dalin nga vezët.
Studimet kanë treguar se temperaturat më të ulëta favorizojnë zhvillimin e meshkujve, ndërsa ato më të larta rezultojnë në një përqindje më të madhe të femrave. Megjithatë, ekziston një kufi kritik temperature. Nëse ajo kalon 34°C, vezët bëhen joefektive dhe nuk arrijnë të çelin. Kërkimet e fundit shkencore në rajonin e Mesdheut e kanë konfirmuar këtë fenomen, duke dokumentuar një disproporcion të dukshëm në raportin gjinor të breshkave të reja. Katër fole çelën me sukses, respektivisht (70.8%, 97.2%. dhe 86.1% dhe 97,3%), rezultat i cili konsiderohet tepër i lartë në suksesin e çeljes së një foleje. Këtë vit u regjistruan rreth 218 breshka të çelura nga të pesta foletë e gjetura.
Ndërsa në zonën e Fierit, bregdetin e Divjakës dhe të Pishë-Poros, nuk u identifikuan fole të breshkës detare C. caretta, pavarësisht përpjekjeve të specialistit të zonës, i cili zbatoi me përpikmëri protokollin e monitorimit. Megjithatë, vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe monitorimi në këtë zonë ka pasur tentativa për folezim, pasi janë fotografuar gjurmët e daljes së breshkës, por pa lëshuar vezët.
Breshka kokëmadhe ka tentuar disa herë të folezojë në brigjet e Divjakës, Patokut dhe Vlorës, por këtë verë u regjistrua një numër i lartë folesh përgjatë kësaj zone. Kjo specie (Caretta caretta), e cila renditet si “e rrezikuar” nga Lista e Kuqe e IUCN-së po përjeton një zvogëlim të popullsisë në shkallë globale. Ndërkohë që ujërat dhe plazhet në Mesdhe po ngrohen, breshkat femra po dalin në breg për të folezuar.
Disa dekada më herët, plazhet e Mesdheut Verior ishin shumë të ftohta për të suportuar proceset folenizuese të breshkave. Por, me rritjen e temperaturave mesatare, ujërat dhe plazhet më të ngrohta i motivojnë femrat që të qëndrojnë në këtë zonë për të depozituar vezët e tyre.
Me ndryshimet që po ndodhin në ekosistem, përfshirë rritjen e temperaturave, është e mundur që në vitet e ardhshme të ketë më shumë fole breshkash në Mesdheun perëndimor dhe atë qendror. Prandaj, është thelbësore të mësojmë të ndajmë plazhet tona me breshkat dhe të kuptojmë se ato janë habitat për speciet e mbrojtura, jo thjesht vende për t’u argëtuar ne gjatë kohës sonë të lirë.
Projekti “Monitorimi i Përpjekjeve të Breshkës së detit për folezim”, zbatuar nga REC Albania gjatë vitit 2024, u mbështet nga GEF Small Grants Program i UNDP Albania.