March 7, 2025

Share the Post:

Ndryshimet klimatike dhe ndikimi në Brezin e Gjelbër Evropian në Shqipëri

Pavarësisht ndikimit të fenomenit La Niña, i cili pritej të sillte temperatura më të ulëta, dimri 2024-2025 në Shqipëri ka rezultuar më i ngrohtë se zakonisht. Në verilindje dhe juglindje, temperaturat kanë arritur nga 2.1°C deri në 2.7°C, duke mbetur pothuajse të njëjta me vlerat e shënuara në vitin 2024.

Evropa ka përjetuar një dimër të jashtëzakonshëm, me anomalitë e temperaturave të ajrit në dhjetor 2024 që devijuan ndjeshëm nga vlerat klimatologjike të periudhës 1991-2020. Në Shqipëri, temperaturat ishin mesatarisht 2°C më të larta se norma klimatike, duke konfirmuar trendin e ngrohjes që po përshpejtohet vit pas viti.

Janari 2025 është regjistruar si muaji më i ngrohtë në nivel global, duke vijuar serinë e temperaturave rekord të vëzhguara gjatë dy viteve të fundit. Sipas të dhënave klimatike, ai ishte 1.75°C më i ngrohtë se mesatarja e janarit në periudhën para-industriale (1850-1900).

Brezi i Gjelbër Evropian – një korridor ekologjik i rëndësishëm

Brezi i Gjelbër Evropian është një nga iniciativat më ambicioze për ruajtjen e natyrës në Evropë. Ky korridor ekologjik shtrihet përgjatë ish-Perdes së Hekurt, duke kaluar nëpër 24 vende evropiane, nga deti Barents në veri deri në Detin e Zi dhe Adriatik në jug, me një gjatësi totale prej rreth 12,500 kilometrash. Pjesë e këtij brezi janë edhe zonat malore lindore dhe juglindore të Shqipërisë, të cilat formojnë një segment të rëndësishëm të seksionit Ballkanik të Brezit të Gjelbër.

Në Shqipëri, Brezi i Gjelbër përfshin zona të rëndësishme si Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, Parku Kombëtar Prespa, zona e Moravës, si dhe territore që shtrihen përgjatë kufirit lindor të vendit. Këto zona karakterizohen nga një biodiversitet i pasur dhe janë shtëpi e shumë specieve endemike dhe të rrezikuara.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në Brezin e Gjelbër në Shqipëri

Në peizazhin e thyer të maleve lindore dhe juglindore të Shqipërisë, ndikimi i ndryshimeve klimatike po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Nga malet e Sharrës dhe Korabit në veri deri te malet e Moravës dhe Gramozit në juglindje, këto zona po përjetojnë ngrohje me ritme më të shpejta se mesatarja globale, duke ndikuar në ekosistemet, burimet ujore dhe jetesën e komuniteteve vendase. Kjo ndjeshmëri e lartë vjen si rezultat i kombinimit të faktorëve topografikë, klimatikë dhe antropogjenë.

Studime të fundit tregojnë se rajonet malore janë më të ndjeshme ndaj ngrohjes globale për shkak të efektit të njohur si “përforcimi malor i ngrohjes”. Kjo do të thotë se temperaturat në malet e Shqipërisë lindore dhe juglindore po rriten me ritme më të larta se në zonat fushore dhe bregdetare. Ky fenomen ndodh sepse ajri në lartësi është më i hollë dhe përmban më pak lagështi, duke e bërë atmosferën më të ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës.

Në rajonet malore të Ballkanit rritja e temperaturave në këto zona ka qenë mesatarisht 0.3 – 0.5°C për dekadë, një normë që e tejkalon ndjeshëm mesataren globale. Kjo ka sjellë pasoja të dukshme, si zvogëlimi i mbulesës së dëborës dhe ndryshimi i ciklit të reshjeve.

Ndryshe nga zonat bregdetare dhe jugore të Shqipërisë, të cilat ndikohen nga klima Mesdhetare, rajonet malore lindore dhe juglindore janë të ekspozuara ndaj masave ajrore kontinentale nga Evropa Lindore. Këto masa ajrore sjellin dimra të ftohtë dhe thatësira të gjata verore, të cilat ndërveprojnë me relievin malor për të krijuar mikroklima që amplifikojnë ndryshimet klimatike.

Për shembull, në zonën e Korçës dhe Pogradecit, reshjet e dëborës kanë pësuar një reduktim prej 30-40% në 30 vitet e fundit. Kjo ka ndikime të drejtpërdrejta në ciklin hidrologjik të rajonit, duke shkaktuar një shkrirje më të hershme të dëborës dhe një pakësim të furnizimit me ujë gjatë verës.

Ngrohja e përshpejtuar në zonat malore të Brezit të Gjelbër po shkakton ndryshime të rëndësishme në strukturën e këtij korridori ekologjik. Fragmentimi i habitateve, i cili tashmë ishte një problem për shkak të aktiviteteve njerëzore, po përkeqësohet nga ndryshimet klimatike. Rrugët migratore të kafshëve dhe bimëve po ndërpriten, duke vështirësuar lëvizjen e specieve dhe shkëmbimin gjenetik midis popullatave të ndryshme.

Transformimi i ekosistemeve malore

Transformimi i ekosistemeve malore në Brezin e Gjelbër po ndikon në të gjithë strukturën e korridorit ekologjik. Pyjet e larta malore, të cilat shërbejnë si strehë për shumë specie, po pësojnë ndryshime në përbërjen e tyre. Studimet kanë treguar se pyjet e ahut dhe halorët në malet lindore të Shqipërisë po tërhiqen gradualisht në lartësi më të mëdha, duke i lënë vendin llojeve më termofile. Kjo zhvendosje po ndikon në ekosistemet e lidhura me to, duke përfshirë komunitetin e insekteve, shpendëve dhe gjitarëve.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në përbërjen floristike dhe fragmentimin e habitateve malore në Shqipëri. Ulja e mbulesës së borës gjatë dimrit dhe pranverës ka shkaktuar tharje të përshpejtuar të livadheve dhe kullotave, duke ndikuar negativisht në mbulesën bimore dhe rezervat ujore nëntokësore. Malet Korab-Koritnik, si një hallkë kyçe në zinxhirin malor të Shqipërisë Lindore, kanë një rol të rëndësishëm si korridore migratore për shumë specie, por këto ndryshime po i vënë në rrezik ekosistemet e tyre.

Një tjetër pasojë e rëndësishme është ndryshimi në strukturën e reshjeve. Sasia e borës ka rënë ndjeshëm, duke u zëvendësuar nga reshjet e shiut, të cilat e përshpejtojnë erozionin në lartësitë malore. Shirat e fortë depërtojnë më shpejt në tokë krahasuar me borën, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve në ultësira. Në të njëjtën kohë, temperaturat më të larta kanë shtuar rrezikun e zjarreve pyjore, të cilat dëmtojnë më tej biodiversitetin dhe stabilitetin e habitateve.

”Një fenomen shqetësues i lidhur me ndryshimet klimatike është “migrimi i bimëve”, ku rritja e temperaturave detyron bimësinë të zhvendoset në lartësi më të mëdha ose të zhduket. Studimet kanë dokumentuar zhvendosje të konsiderueshme të vijës së pyjeve në dy zona të rëndësishme malore. Në Shishtavec, vija e pyjeve është zhvendosur rreth 38 metra më lart gjatë periudhës 2002-2023, ndërsa në malin Gjallicë, kjo zhvendosje ka arritur në 60 metra midis viteve 2001 dhe 2023. Këto ndryshime ndikojnë jo vetëm në florën, por edhe në zinxhirin ushqimor dhe ekuilibrin ekologjik të këtyre zonave.”

shprehet Dr. Abdulla Diku, ekspert mjedisi

 

Që nga 1 nëntori i 2023, REC Shqipëri është në zbatim të një projekti për vlerësimin dhe rehabilitimin e kullotave dhe livadheve në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik, pjesë e korridorit të gjelbër evropian. Projekti “Connectivity through Pastures” synon të përmirësojë përdorimin dhe rehabilitimin e qëndrueshëm të kullotave përmes një vlerësimi gjithëpërfshirës, sic është p.sh hartëzimi i vegetacionit nën konsideratat e faktorëve socio-ekonomikë të zonës. Ky projekt ndikon në përmirësimin e biodiversitetit dhe lidhjes ekologjike, duke krijuar biokorridore për jetën e egër dhe duke promovuar ekuilibrat natyrorë në këto ekosisteme.