*Ekstrakt i përzgjedhur nga fjala e Drejtorit të REC Shqipëri, Mihallaq Qirjo, në punimet e Takimit të OSBE-së për Zbatimin e Dimensioneve Ekonomike dhe Mjedisore – 13 nëntor 2023, Vjenë, Austri

 

Një artikull akademik i publikuar në vitin 2023 në revistën shkencore “Environment, Development and Sustainability” thekson se korrupsioni përfaqëson një epidemi socio-kulturore me implikime të thella për qëndrueshmërinë mjedisore dhe cilësinë e planetit në të cilin jetojmë. Diçka e tillë vjen në kohën kur ndryshimet klimatike pasqyrojnë kërcënimin që po i kanoset mbijetesës së species sonë, të projektuar në të tashmen dhe në të ardhmen. Kërkuesit mblodhën të dhëna nga 123 vende për periudhën 2000-2017 rreth ndikimit me karakter mjedisor të korrupsionit, në rritjen ekonomike “të gjelbër”. Rezultatet dëshmuan për një marrëdhënie konsiderueshëm negative ndërmjet korrupsionit dhe rritjes ekonomike të gjelbër, çka reflekton se vendet me nivele shumë të larta korrupsioni e kanë më të vështirë përmirësimin e pasojave negative në mjedis të shkaktuara nga ndryshimet e menjëhershme ekonomike.

Sipas tyre, e kuantifikuar, një rritje me 1 pikë në përqindje në nivelin e korrupsionit (ku variabla e varur është vetë korrupsioni) shoqërohet me një rënie prej 15.47% në rritjen ekonomike të gjelbër.

Ndërkohë, duke kthyer vëmendjen drejt Ballkanit Perëndimor, progres-raporti më i fundit i KE-së, i publikuar në nëntor të vitit 2023, posaçërisht përmend se “ka nevojë për përpjekje të mëtejshme… (në) fusha kyçe të sundimit të ligjit, të tilla si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), e realizuar në verën e vitit 2023, në kuadër të Barometrit të Sigurisë, konfirmon se korrupsioni është shumë i përhapur. Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia renditet e para (90%), e pasuar nga Shqipëria (87%).

Korrupsioni i dëmton burimet natyrore, çka në mënyrë të drejtpërdrejtë, impakton të ardhmen e rajonit. Asnjë vend nuk është i imunizuar ndaj ndikimeve negative të korrupsionit. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qeveria dhe shoqëria civile po përqendrohen më shumë në faktorë që janë kryesisht të një natyre ekonomike dhe teknologjike, si për shembull investimi i gjelbër, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur mënyrës në të cilën fenomene sociale të tilla si korrupsioni cenojnë sigurinë rajonale dhe rrugëtimin e vendeve drejt një rritjeje ekonomike më të gjelbër.

Ka shembuj të panumërt të investimeve që rrezikojnë të shkaktojnë degradim të mjedisit dhe shkatërrim të burimeve natyrore, si për shembull 700 hidrocentrale të vogla të ndërtuara përgjatë gjithë përrenjve dhe lumenjve në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbi 2800 të planifikuara (sipas organizatës RiverWatch). Fushatat advokuese të shoqërisë civile pretendojnë se një politikë e tillë “për zhvillim” nuk është strategjike, dhe më së shumti mbetet e rrënjosur në interesa personale, kontroll dhe zbatim të cunguar.

Për më tepër, korrupsioni ushtron ndikime shkatërruese në performancën mjedisore. Tashmë, është e ditur se grupimet e shoqërisë civile janë kryesisht të angazhuara në betejën kundër ndotjes dhe degradimit të mjedisit, duke i kushtuar më pak rëndësi impaktit që korrupsioni ka mbi përdorimin efektiv të burimeve natyrore në procese prodhuese dhe konsum.

Gjithashtu, një tjetër mënyrë përmes së cilës korrupsioni i dëmton burimet natyrore është relaksimi i masave të parashikuara në politikat dhe rregulloret që zbatohen në funksion të mbrojtjes së mjedisit. Kjo mund të ndodhë ose për shkak të mungesës së legjislacionit përkatës mjedisor, ose sepse ky legjislacion nuk është hartuar në mënyrë të atillë sa të parandalojë shfrytëzimin jo-efektiv të kapitalit natyror, çka për rrjedhojë do të pasohet nga degradimi i mjedisit. Në të gjithë rajonin, shihet si çështje me shqetësim cilësia e Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis (VNM-ve) dhe ajo e lejeve mjedisore. Këto pragje të ulëta standardesh, kombinuar me monitorimin dhe raportimin e cunguar mjedisor, sjellin nivele të pakënaqshme të cilësisë së hetimit të padive mjedisore, dhe bëhen më pas shkak për norma të shtuara të kriminalitetit mjedisor, duke kërcënuar rendin dhe sigurinë publike.

Sipas një vëzhgimi të kryer nga OSBE (2019), në Shqipëri, krimi mjedisor shihet si kërcënimi publik i dytë më serioz, i përzgjedhur nga 26.9% e të anketuarve, duke identifikuar si veçanërisht shqetësuese veprimtaritë që shkaktojnë ndotje të ujit, ajrit dhe tokës, si dhe prerjes së paligjshme të pyjeve.

Sigurisht që duhet marrë në konsideratë edhe efekti përmbysës që mund të shkaktojë korrupsioni dhe menaxhimi i dobët mjedisor. Ai ndikon negativisht në faktorë të tjerë të “mbarëvajtjes shoqërore”, të tillë si shërbimet, proceset demokratike, etj.

Megjithatë, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë me çështjet e sigurisë. Raportimet mediatike flasin për protesta komunitare, ndonjëherë mjaft agresive, të cilat bëhen shkak për bllokimin e rrugëve dhe përplasjen me efektivët e sigurisë. Ata pretendojnë se praktikat korruptive, të kombinuara me pjesëmarrje të ulët publike, ndikojnë negativisht në jetët e njerëzve, duke e limituar aksesin në burime.

Gjithsesi, vërehet se në vitet e fundit, falë edhe kontributit të komuniteteve dhe grupimeve të shoqërisë civile në përmbushje të rolit të tyre vrojtues-monitorues, ka pasur një shtim të rasteve të raportuara dhe atyre në proces hetimi nga institucionet ligjzbatuese. Një grup këshillimor kundër krimit mjedisor, me në përbërje përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe akademisë, është ngritur dhe e ushtron veprimtarinë e tij që nga viti 2019, me mbështetjen e prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ata kanë artikuluar nevojën për forcimin e kapaciteteve zbatuese në të gjitha segmentet e nevojshme: nga monitorimi mjedisor dhe inspektimi, e deri te sistemi i drejtësisë. Së fundi, Shkolla e Magjistraturës po përgatit dhe lançon një kurrikulë specifike për krimin mjedisor, së bashku me Akademinë e Rendit, e cila është në proces hartimi të kurseve të trajnimit për policinë shqiptare.

Vlen gjithashtu të ndalemi te sfidat se përse roli i OSHC-ve mbetet i kufizuar: Teksa gjithsekush mund të jetë ekspozuar ndaj paradigmës se shoqëria civile ndihmon qeverisjen në negocimin e marrëveshjeve që janë më efektive dhe demokratike, duke ofruar informacione dhe garantuar legjitimitet; në të vërtetë, ky lloj supozimi, rreth një fuqie të mbinatyrshme të shoqërisë civile në vetvete, mund të reflektojë një mbivlerësim të kapaciteteve të kësaj të fundit.

Megjithatë, OSHC-të operojnë në një ekosistem/mjedis të caktuar, çka e bën impaktin e tyre në betejën kundër korrupsionit të ndikueshëm edhe nga parakushte të tilla si media e lirë, institucionet politiko-ligjore, përfshirë këtu edhe partitë politike. Gjithashtu, diçka e tillë varet edhe nga niveli i rigorozitetit dhe paanshmërisë së lidershipit, përkundrejt qasjeve arbitrare apo të anshme që mund të ndjekë ky aktor kyç.

OSHC-të sugjerojnë se ka një trend drejt të ashtuquajturit “recesion demokratik”, sikurse mund të klasifikohet tkurrja e hapësirës civile. Korniza Monitoruese për Mundësimin e Zhvillimit të Shoqërisë Civile, në raportin e saj rajonal për vitin 2022, i përpiluar me asistencën e Rrjetit Ballkanik të Shoqërisë Civile, ngre zërin rreth disa sfidave. Ndër to artikulohet se “inputi i ardhur nga OSHC-të po merret gjithnjë e më pak në konsideratë, çka po sjell ndikim të kufizuar të tyre në proceset politikëbërëse dhe ato vendimmarrëse”, shoqëruar kjo me “përkeqësimin e marrëdhënieve OSHC-qeveri”.

Sa më sipër, na shtyn drejt përmbushjes së nevojës për një bashkëpunim më të frytshëm dhe kuptimplotë. Në këtë drejtim, më e rëndësishme se shpeshtësia e angazhimeve OSHC – procese politikëbërëse nga aktorët qeveritarë, mbetet cilësia e tyre. Përmirësimi i cilësisë së përfshirjes së shoqërisë civile mund të prodhojë efekte pozitive në luftën kundër korrupsionit, e veçanërisht për sa i takon ruajtjes së mjedisit, burimeve natyrore, dhe promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të tyre.