Shqipëria cënohet nga një sërë fatkeqësish natyrore. Rreziqet kryesore që prekin Shqipërinë janë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e tokës. Të dhënat më të fundit tregojnë se Shqipëria është, në mënyrë eksponenciale, më e cënuar prej fatkeqësive, pasi në dekadën e fundit të gjitha rreziqet e lartpërmendura janë kthyer në emergjenca në shkallë të gjerë ose në fatkeqësi. Raporte dhe dokumente të shumta evidentojnë nivelin e lartë të risqeve që kërcënojnë vendin, ekspozimin dhe cënueshmërinë e lartë, por edhe kapacitetin e pamjaftueshëm për t’u përballur dhe përshtatur me to. Si rezultat i ekspozimit të lartë dhe kapaciteteve të pamjaftueshme përballuese, dëmet nga tërmetet dhe përmbytjet vlerësohen deri në 147 milionë dollarë në vit, ndërsa me një ngjarje katastrofike, si një tërmet 1 në 100 vjet dëmet shkojnë mbi 2 miliardë dollarë.

Komunitetet në Shqipëri, çdo vit përballen me humbje të konsiderueshme, ndonjëherë shkatërruese, nga fatkeqësitë. Përmbytjet, tërmetet, zjarret në bimësi dhe në pyje, rrëshqitjet e tokës, rreziqet e tjera dhe pasojat e tyre kanë një ndikim të konsiderueshëm mbi banorët, ekonominë, infrastrukturën dhe mjedisin. Fatkeqësitë shkaktojnë humbje dhe kanë efekte negative në më shumë se një sektor në zonën ku ato ndodhin. Preken pothuajse të gjithë sektorët, por së bashku mbajnë edhe përgjegjësi për të siguruar kapacitetet e menaxhimit të fatkeqësive duke garantuar kështu aftësinë parandaluese dhe ripërtëritëse të vendit.

Kushtet social-ekonomike janë një faktor që përshkallëzojnë pasojat nga fatkeqësitë. Ndikimi i tyre është i ndryshëm edhe kur rajonet kanë ngjashmëri demografike. Pavarësisht kësaj, personat që preken dhe i vuajnë më tepër këto pasoja, janë grupet e cënueshme. Studimet dhe përvoja kanë treguar se situatat me të cilat përballen gratë dhe vajzat gjatë fatkeqësive janë shumë komplekse dhe të vështira. Nga ana tjetër, roli që ato luajnë në zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe ndihma që u japin komuniteteve në përballimin e tyre, shpeshherë nënvleftësohet.

Për Sida dhe UNWomen në Shqipëri, ndikimi në rritje i fatkeqësive natyrore tek gratë dhe vajzat, veçanërisht pas tërmetit të vitit 2019, si dhe pasojave të lidhura me përmbytjet e shpeshta në rajone të caktuara të vendit, etj., është i një rëndësie të madhe. Edhe Strategjia për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë Natyrore (SZRFN), 2022 – 2030, e miratuar së fundi, i kushton një seksion të veçantë grupeve të cenueshme, përfshirë gratë dhe vajzat. Ky udhëzim synon të lehtësojë punën e njësive të pushtetit vendor për të integruar ndjeshmërinë gjinore në planet vendore të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë. Ai është pjesë e një pakete produktesh, të realizuara nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Shqipëri), në kuadër të Projektit ‘Integrimi Gjinor në Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë.