REC Shqipëri me mbështetjen e Green-AL organizoi në datën 9 Qershor 2023 Forumin e 3-të Kombëtar “Edukimi Mjedisor, Parakusht për Zhvillimin e Qëndrueshëm”. Në fokus të këtij Forumi ishte:
1. Prezantimi i ecurisë dhe rolit që zë Edukimi mjedisor, si pjesë e Edukimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm në zhvillimin strategjik të arsimit në Shqipëri.
2. Edukimi mjedisor si portë hyrëse për të mbështetur tendencat e reja të Ekonomisë së Gjelbërt dhe Ndryshimeve Klimatike.
3. Identifikimi i sfidave për integrimin e koncepteve të Edukimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm si elemente të arritjes dhe performancës ndër-kurrikulare.
4. Modele integrimi nga vendi dhe rajoni për thellimin dhe qëndrueshmërinë në konceptet mjedisore tek nxënësit, mësuesit dhe aktorët e sistemit arsimor në vend.
Veprimtaritë mjedisore në shkollat shqiptare janë shumë të rëndësishme, për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe degradimit të mjedisit në vend. Shqipëria disponon pasuri të larmishme në llojshmëri ekosistemesh dhe biodiversiteti në raport me përmasat e saj. Njëkohësisht, ajo përballet me sfida mjedisore në rritje, dhe për këtë arsye, pjesëmarrja e nxënësve dhe studentëve në aktivitete mjedisore mund të cilësohet si thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të gjelbër.
Këto veprimtari ushqejnë ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të rejave për çështjet mjedisore me të cilat përballet vendi, si shpyllëzimi, ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i mbetjeve, etj. Përmes përvojave të nismave praktike, të zhvilluara më pranë natyrës, nxënësit dhe studentët fitojnë njohuri më të thelluara rreth këtyre sfidave dhe ndikimit të mundshëm në komunitetet e tyre dhe mjedisin natyror. “Përkujdesja” mjedisore kultivon ndjenjën e përgjegjësisë dhe detyrimit mjedisor. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm nëse nisma të tilla si gjelbërimi dhe mbjellja e pemëve/fidanëve, veçimi i mbetjeve dhe riciklimi në kushte shtëpie, fushatat e pastrimit, etj., integrohen në programet mësimore në mënyrë të përhershme dhe ju delegohen aktorëve të edukimit dhe shoqërisë civile me ekspertizë dhe përvojë të mjaftueshme dhe të kualifikuar në to.
Aktivitetet mjedisore i inkurajojnë studentët të shndërrohen në agjentë aktivë të ndryshimit. Në cikle të mëvonshme të arsimimit të tyre, apo të angazhimit në nisma sipërmarrëse, ata mund ta projektojnë veten në projekte që lidhen me ruajtjen e energjisë, bujqësinë e qëndrueshme dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke zhvilluar aftësi të të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve. Shoqëria si e tërë do të jetë më e përshtatur ndaj kushteve të ndryshimeve klimatike, nismat zbutëse do të vihen në zbatim, dhe ruajtja e pasurive/burimeve natyrore do të jetë në zemër të qasjeve të investimeve apo biznesit.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit Green-AL “Fuqizimi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Mjedisit në Shqipëri” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim #Sida me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me organizatat CISP Sviluppo dei Popoli, VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.