Që të sigurojmë zgjidhje përfshirëse dhe të qëndrueshme në aspektin mjedisor, duhet të kuptojmë shkaqet e pabarazive ndaj aksesit në burime, cënueshmërisë, nevojave të ndryshme të burrave dhe grave, dhe një morie diferencash të tjera derivuese – të cilat e bëjnë akoma më sfiduese jetën e grave dhe vajzave. Falë mbështetjes së GreenAL, REC Shqipëri solli në Forumin Kombëtar “Integrimi Gjinor në Çështjet e Mjedisit”, datë 23 Maj, disa këndvështrime interesante të perspektivës gjinore në disa nën-sektorë të fushës së mjedisit.

Në funksion të tematikave të trajtuara në Forumin Kombëtar, u konkludua se gratë dhe vajzat në Shqipëri përballen me sfida të lidhura me pabarazitë, stereotipet gjinore, si dhe diskriminimin gjinor e të shumëfishtë, që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e shoqërisë, rritjen e sigurisë dhe mundësive për punësimin, edukimin dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse në nivel kombëtar dhe vendor. Për të përmirësuar këtë situatë dhe duke synuar përparimin drejt barazisë gjinore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të një shoqërie të drejtë, rekomandohet si në vijim:

1- Rishikimi i dokumenteve strategjike mjedisore duhet të bëhet përmes lenteve gjinore.
2- Përcaktimi i treguesve të qartë gjinorë në Planet e Veprimit për zbatimin e strategjive, programeve dhe projekteve të ndryshme mjedisore duhet të jetë i gjithëkuptimtë dhe i lidhur organikisht me planin e monitorimit të tyre.
3- Adresimi i pabarazive gjinore në menaxhimin e burimeve natyrore është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
4- Mbajtja në konsideratë e lidhjes së kapitalit natyror me pavarësinë ekonomike, çka mund të ndikojë aspektet e sipërmarrjes së lidhur me zhvillimin rural dhe bizneset e gjelbra.
5- Analiza me ndjeshmëri gjinore e procesit të menaxhimit të mbetjeve.
6- Njohja më e thelluar e ndikimit të ndryshimeve klimatike, për të gjitha grupet në shoqëri, do të ndihmojë për të zhvilluar plane përshtatëse më efektive dhe për të pasur komunitete që përballojnë më lehtë rreziqet nga këto ngjarje dhe fatkeqësi natyrore.
7- Mbledhja, analiza dhe përdorimi i vazhdueshëm i të dhënave të ndara sipas seksit dhe statistikave gjinore, si dhe i treguesve të ndjeshëm gjinorë në të gjitha dokumentet dhe ndërhyrjet për çështjet mjedisore.
8- Organizimi i debateve publike në lidhje me varfërinë energjitike dhe ndërlidhjen e saj me gjininë dhe përkatësinë e shumëfishtë (ndërseksionalitetin).
9- Dhënia përparësi përfshirjes së grave dhe vajzave, nga të gjitha grupet në shoqëri, në proçeset vendimmarrëse të lidhura me zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, menaxhimin e burimeve natyrore, zhvillimin rural dhe sipërmarrjen e gjelbër, si dhe menaxhimin e mbetjeve.
10- Harmonizimi i burimeve, veprimeve, ndërhyrjeve dhe politikave gjinore e mjedisore brenda vetë institucioneve publike e jopublike, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, është një tjetër hap i rëndësishëm që do të lehtësojë zhvillimin në mënyrën e duhur të të gjitha rekomandimeve të sipërpërmendura.

Politikat miqësore me mjedisin që garantojnë të drejtën e qytetareve dhe qytetarëve për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, arrihen përmes integrimit të politikave dhe programeve që promovojnë barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe ngritjen e kapaciteteve për gratë dhe vajzat nga të gjitha grupet në shoqëri, duke luftuar diskriminimin dhe disavantazhimin e shumëfishtë.

Ndër objektivat kryesore të Forumit të cilat edhe u përmbushëm ishin:
1. Prezantimi i ndërthurrjes së problemeve mjedisore me pabarazitë gjinore në Shqipëri.
2. Integrimi gjinor në politikat mjedisore të vendit për të rritur eficencën e ndikimit të masave në uljen e pabarazive gjinore.
3. Identifikimi i problematikave në këndvështrimin gjinor për ndarjen e burimeve, shfrytëzimin e burimeve natyrore, energjisë dhe ndotjes.
4. Fuqizimi i rolit të OSHC-ve në adresimin e cështjeve gjinore në problematikat mjedisore të vendit.

Politikat miqësore me mjedisin që garantojnë të drejtën e qytetareve dhe qytetarëve për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, arrihen përmes integrimit të politikave dhe programeve që promovojnë barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe ngritjen e kapaciteteve për gratë dhe vajzat nga të gjitha grupet në shoqëri, duke luftuar diskriminimin dhe disavantazhimin e shumëfishtë.

Për më tepër, është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi dhe të promovohet edukimi për çështjet që lidhen me gjininë dhe përkatësinë e shumëfishtë, për të siguruar që gratë dhe vajzat nga të gjitha grupet, të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike dhe përfituar nga mundësitë që krijojnë programet për ekonominë e gjelbër.