Kushtet social-ekonomike janë një faktor që përshkallëzojnë pasojat nga fatkeqësitë. Ndikimi i tyre është i ndryshëm edhe kur rajonet kanë ngjashmëri demografike. Pavarësisht kësaj, personat që preken dhe i vuajnë më tepër këto pasoja, janë grupet e cënueshme. Studimet dhe përvoja kanë treguar se situatat me të cilat përballen gratë dhe vajzat gjatë fatkeqësive janë shumë komplekse dhe të vështira. Nga ana tjetër, roli që ato luajnë në zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe ndihma që u japin komuniteteve në përballimin e tyre, shpeshherë nënvleftësohet. Për Sida dhe UNWomen në Shqipëri, ndikimi në rritje i fatkeqësive natyrore tek gratë dhe vajzat, veçanërisht pas tërmetit të vitit 2019, si dhe pasojave të lidhura me përmbytjet e shpeshta në rajone të caktuara të vendit është i një rëndësie të madhe. Edhe Strategjia për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë Natyrore (SZRFN), 2022 – 2030, e miratuar së fundi, i kushton një seksion të veçantë grupeve të cënueshme, përfshirë gratë dhe vajzat. Ky udhëzim synon të lehtësojë punën e njësive të pushtetit vendor për të integruar ndjeshmërinë gjinore në planet vendore të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë. Ai është pjesë e një pakete produktesh, të realizuara nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Shqipëri), në kuadër të Projektit ‘Integrimi Gjinor në Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë’.