Ndryshimet Klimatike ishin në fokus të Forumit Kombëtar të Organizatave të Shoqërisë Civile që u mbajt në datën 28 mars 2023. Forumi kishte për qëllim të bënte bashkë OSHC-të në diskutimin mbi masat që duhet të ndërmerren për të adresuar problematikën e ndryshimeve klimatike në zbatim të qasjeve të aftësive ripërtëritëse në nivel kombëtar e lokal.
Objektivat kryesore e Forumit ishin:
Theksimi i nevojës për një kuadër më të plotë për zbutjen dhe përshtatjen e ndikimeve klimatike.
Nevoja për gjithëpërfshirje të politikave klimatike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe rritje të aftësive ripërtëritëse ndaj fatkeqësive.
Rritja e kapaciteteve të institucioneve në burime njerëzore dhe ato financiare për t’i adresuar çështjet klimatike në kuadër të Integrimit Evropian.
Forcimi i rolit të OSHC-ve në advokimin e çështjeve klimatike.
Organizatat e Shoqërisë Civile dhe publiku i gjerë paraqiten gjithnjë e më të shqetësuar për pasojat klimatike. Më shumë grupe po angazhohen në iniciativa për të advokuar integrimin e çështjeve të klimës në të gjithë sektorët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë dhe institucioneve në nivel kombëtar dhe lokal.
Me rritjen e temperaturës me +1.09oC në periudhën 2011-2020 krahasuar 1850-1900, referuar këtu raportit vlerësues të IPCC të mars 2023 , ndryshimet klimatike janë një realitet global. Ky fenomen paraqitet si kërcënim i shtuar ndaj vendeve të vogla si Shqipëria, ku është rritur frekuenca e ngjarjeve ekstreme të motit si përmbytjet, thatësira e tejzgjatur, valët e të nxehtit dhe zjarret në pyje, etj. Rreth 55% e popullsisë së vendit tonë , kryesisht e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, vlerësohet të jetë e ekspozuar ndaj rreziqeve të lidhura me klimën, një shifër më e lartë se vlerësimi global prej 40-45%. Vetëm gjatë tre muajve të këtij dimri, disa komunitete në Qarkun e Shkodrës janë gjendur tre herë të përmbytura nën vërshimin e ujrave të lumit Drin dhe Buna, sipërfaqet e pyjeve dhe zonave të djegura këtë verë kërcënuan në jo pak raste edhe vetë sezonin turistik, sikundër thatësirat e zgjatura kanë vënë nën presion sektorin energjitik dhe atë bujqësor.
Ndikimi i këtyre fenomeneve ka veprim të drejtpërdrejtë mbi ekonominë me ndikim mbi prodhimin e energjisë nga burimet hidrike, rritjen e konsumit të energjisë, përdorimit të ujit, prodhimin bujqësor e blegtoral, duke cenuar drejtpërdrejtë sigurinë dhe mirëqenien e popullatës. Infrastruktura urbane, përfshirë transportin, sistemet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ato të furnizimit me energji gjenden nën presionin e shtuar të ngjarjeve ekstreme të motit, duke cenuar cilësinë e shërbimeve dhe furnizimit, deri në ndërprerjen e tyre, me humbje ekonomike dhe ndikim më të shprehur mbi shtresat e varfra të popullsisë. Sipas raporteve të Komunitetit të Energjisë, kriza energjitike në vitin 2022 ka rritur në 37% përqindjen e popullsisë shqiptare që përballet me varfërinë energjitike .
Ndryshimet klimatike, sidomos me rritjen e temperaturës kanë sjellë ndryshime në habitatet natyrore dhe biodiversitetin duke rritur presionin mbi habitatet dhe llojet më të kërcënuara, sidomos ato lagunore dhe bregdetare, dhe shtimin e llojeve aliene dhe invazive . Së fundi, por jo nga rëndësia, zonat urbane janë ato të cilat përjetojnë agresivitetin e plotë të këtyre fenomeneve, pasi në tre dekada tranzicion, betonizimi dhe ndërtimi ka krijuar koracë në mbi 90% të sipërfaqes së tyre. Tjetërsimi i elementeve natyrore në qytete detyron shumë qytetarë të ekspozohen, kundër dëshirës së tyre, në temperatura më të larta se ato që regjistrojnë qendrat meteorologjike, në zona me përqendrim të lartë të ndotësve në ajër, duke rrezikuar shëndetin e tyre.
Vlerësojmë qëndrimin e vendit tonë krahas vendeve të tjera për të adresuar këtë sfidë globale duke marrë angazhime konkrete për uljen e shkarkimeve të gazeve serë me 20.9% deri në vitin 2030 dhe renditur krahas vendeve që synojnë të jenë me shkarkime zero në vitin 2050.
Përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile, kërkojnë nga institucionet përgjegjëse politikë-bërëse dhe ligjzbatuese që të vlerësohet me seriozitetin më të lartë emergjenca klimatike me të cilën përballet vendi dhe rajoni. Kjo nevojë për trajtim të shpejtë, të integruar dhe koherent me politikat evropiane bëhet më e shprehur prej pamundësisë së vendit tonë për t’u përballuar me këto pasoja për shkak të rritjes së frekuencës së tyre dhe kufizimeve që kanë institucionet dhe ekonomia e vendit tonë.